Fjalëkalimet

Достапно на / Dispozicion në: македонски (Macedonian)

Përdorimi i fjalëkalimeve të forta dhe regjistrimi me dy faktorë

Kur u pyetën nëse ata kanë një fjalëkalim në pajisjet që përdorin, 75% e përdoruesve të pajisjeve digjitale që përdorin internetin në shtetin tonë u përgjigjën se ata përdorin fjalëkalime. Edukimi i punonjësve për rëndësinë e përdorimit të fjalëkalimeve si një mbrojtje kryesore është shumë e rëndësishme. Laptopat, kompjuterat, tabletat dhe telefonat inteligjentë mund të përmbajnë të dhëna kritike për biznesin, të dhëna personale të klientëve tuaj, si dhe detaje të llogarive në internet në të cilat hyni. Përdorimi i fjalëkalimeve siguron nivelin më të ulët të mbrojtjes së qasjes në të dhënat tuaja, parandalon hyrjen dhe shfrytëzimin e paautorizuar. Në vijim kemi disa këshilla për përdorimin e fjalëkalimeve për një siguri më të madhe.

Mbroni veten në Internet! Përdorni fjalëkalime të forta!

Mbroni veten në Internet! Jeta nuk është një përrallë!

Ndiqni një trajnim të shkurtër online për përdorimin e fjalëkalimeve të forta, klikoni imazhin.

KËSHILLA 1: PËRDORNI MBROJTJE TË QASJES NË TË DHËNA ME FJALËKALIME ATJE KU KA NEVOJË

Pavarësisht nëse është një kompjuter, telefon, tablet ose shërbim online, vendosni një fjalëkalim për të kufizuar hyrjen në këto pajisje dhe shërbime nëse ato përmbajnë të dhëna të ndjeshme ose të rëndësishme për punën tuaj. Përveç fjalëkalimeve, duhet të siguroni qasjen me mbrojtje shtesë kudo që është e mundur, p.sh. duke përdorur PIN (Numri Personal i Identifikimit), gjurmët e gishtave ose skanimi i fytyrës si mënyra të autentifikimit të mëtejshëm. Sigurohuni që pajisjet IT si kompjuteri dhe laptopi përdorin kriptim ose kodim të të dhënave që janë regjistruar aty. Shembull për këtë është Butlocker për Windows dhe FileVault për macOS. Aktivizoni kriptimin para se kompjuteri juaj të fillojë të përdoret. Kërkoni nga personat e IT-së që janë përgjegjës për mirëmbajtjen e pajisjes të aktivizojnë këtë mundësi.

KËSHILLA 2. PËRDORNI FJALËKALIME TË FORTA

Nëse ju jeni përgjegjës për politikat e përdorimit të pajisjeve të IT-së në organizatën tuaj, sigurohuni që punonjësit të dinë të krijojnë fjalëkalime të forta që do të kujtohen lehtë, por gjithashtu të vështira për t’u zbuluar nga kriminelët. Është praktikë e zakonshme që fjalëkalimet të jenë të paktën 8 karaktere të gjata dhe të përmbajnë tre nga katër grupet e karaktereve (shkronja të vogla, të mëdha, numra dhe shenja të veçanta). Sigurohuni që çdo përdorues të ketë qasje personale në sistemet e duhura dhe që niveli i qasjes të jetë gjithmonë në nivelin më të ulët që kërkohet për të bërë punën e tyre.

KËSHILLA 3: PËRDORNI AUTENTIFIKIM ME DY FAKTORË PËR “LLOGARITË” E RËNDËSISHME

Sipas sondazhit të fundit të MKD-CIRT, 70% e përdoruesve të internetit në vendin tonë nuk përdorin autentifikim me dy faktorë. Nëse ju jepet mundësia të përdorni autentifikim me dy faktorë (i njohur gjithashtu si 2FA – ang. ” two factor authentication “) për ndonjë nga llogaritë tuaja, duhet ta përdorni. Kjo rrit më tej sigurinë e organizatës. 2FA kërkon dy metoda të ndryshme për të “provuar” identitetin tuaj përpara se të përdorni një shërbim të veçantë, zakonisht një fjalëkalim plus një metodë tjetër. Ky mund të jetë kod i cili dërgohet në telefonin tuaj të mençur (ose kodi i gjeneruar nga një token bankar) që duhet të vendosni përveç fjalëkalimit tuaj.

KËSHILLA 4: NDIHMONI PUNONJËSIT QË TË MENAXHOJNË NUMRIN E MADH TË FJALËKALIMEVE

Punonjësit tashmë kanë fjalëkalime të shumta për të mbajtur mend, për përdorim zyrtar dhe privat. Për t’u ndihmuar, këmbëngulni që të regjistrohen me fjalëkalime vetëm për shërbimet që janë me të vërtetë të nevojshme. Praktika e ndryshimit periodik të fjalëkalimeve tashmë është braktisur. Ndryshoni fjalëkalimet kur dyshoni se detajet e regjistrimit rrezikohen gjatë përdorimit të një shërbim të veçantë. Siguroni ruajtje të sigurt të fjalëkalimeve. Punonjësit mund të shkruajnë fjalëkalime për llogari të rëndësishme (të tilla si e-mail dhe shënimet bankare) dhe t’i mbajnë ato të sigurta (por jo në vete pajisjen). Për shkak se punonjësit mund t’i harrojnë fjalëkalimet, sigurohuni që të mund të rivendosin fjalëkalimet e tyre në një mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë. Nëse keni mundësi në organizatën tuaj përdorni të ashtuquajturit Menaxherë të Fjalëkalimeve (ang. Password managers). Këto janë mjete softuerike që në një vend mund t’i krijojnë dhe t’i ruajnë fjalëkalimet për më shumë shërbime, te të cilat do të kemi qasje ose do të regjistrohemi nëpërmjet fjalëkalimit kryesor/master. Ajo duhet të jetë mjaftueshëm e komplikuar, për shembull me përdorim të frazave të tri fjalëve rastësisht të zgjedhura dhe me gjatësi minimale prej 8 karaktereve si dhe nëse përmban karaktere nga tre grupet vijuese; shkronja të mëdha, shkronja të vogla, numra dhe shenja të veçanta.

KËSHILLA 5: NDRYSHONI TË GJITHË FJALËKALIMET SRANDARDE (DEFAULT)

Gabim i shpeshtë që bëhet është mosndryshimi i fjalëkalimeve të paracaktuara të vendosura nga prodhuesit e telefonave të mençur (smartfonëve), laptopave, rrugëzuesve të rrjetit dhe të llojeve të tjera të pajisjeve aktive kompjuterike dhe të rrjetit. Ndryshoni të gjitha fjalëkalimet standarde para se punonjësit të fillojnë t’i përdorin ato. Kryeni kontrolle të rregullta periodike të pajisjeve dhe aplikacioneve për të parë nëse fjalëkalimet standarde kanë ndryshuar.